Secondary Adv

Kompanitë e naftës kërkojnë 12 mln euro dëmshpërblim nga qeveria për llogaritje të gabuar të çmimit

Tetë operatorë të tregut të hidrokarbureve pretendojnë se formula e Bordit të Transparencës i detyroi të shisnin karburant nën kosto.

Kompanitë e naftës kanë paditur qeverinë në Gjykatën Administrative, pasi kërkesat e tyre për rishikimin e metodologjisë së llogaritjes së çmimit të karburanteve gjatë funksionimit të Bordit të Transparencës nuk u morën parasysh. Burime nga tregu i hidrokarbureve konfirmuan për Monitor se paditë janë paraqitur veçmas nga tetë operatorë, të cilët kërkojnë në total rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga përcaktimi i çmimeve nën kosto.


Bordi i Transparencës për Hidrokarburet u riaktivizua nga qeveria më 26 mars 2026, rreth një muaj pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme dhe rritjes së çmimeve të karburanteve në bursat ndërkombëtare. Ai funksionoi deri më 17 qershor 2026 dhe përcaktoi çmimet maksimale sipas formulës së miratuar gjatë krizës së vitit 2022, kur tregjet e energjisë u goditën nga pasojat e luftës në Ukrainë.


Operatorët kundërshtojnë përdorimin e çmimit FOB

Që në fillim të funksionimit të Bordit, operatorët kundërshtuan metodologjinë e përdorur, duke argumentuar se çmimi maksimal i shitjes llogaritej mbi bazën e treguesit FOB, ose “Free on Board”, i cili nuk përfshin kostot e transportit dhe sigurimit. Sipas kompanive, tregu ndërkombëtar i karburanteve funksionon tashmë kryesisht mbi kontrata CIF, ose “Cost, Insurance and Freight”, ku përfshihen edhe këto shpenzime.


Operatorët pretendojnë se përdorimi i kontratave CIF e rrit çmimin real të blerjes me rreth 45–50 dollarë për ton, kosto që nuk është reflektuar në formulën e Bordit. Për pasojë, sipas tyre, çmimi maksimal i miratuar ka qenë më i ulët se kostoja reale e importit dhe tregtimit.


TVSH-ja llogaritej mbi një bazë tjetër

Një tjetër kundërshtim lidhet me mënyrën e llogaritjes së TVSH-së. Ndërsa Bordi përdorte çmimin FOB për të përcaktuar çmimin maksimal të shitjes, administrata doganore e llogariste TVSH-në mbi bazën e çmimit CIF. Sipas operatorëve, kjo mospërputhje ka krijuar një kosto shtesë prej rreth 4.7 lekësh për litër dhe ka gjeneruar humbje të konsiderueshme financiare.


Në një shkresë të mëparshme drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe Kryeministrit Edi Rama, kompanitë më të mëdha importuese kishin kërkuar rishikimin e metodologjisë së çmimeve dhe të marzheve të fitimit. Ato pretendojnë se kërkesat e tyre nuk u morën në konsideratë, duke i shtyrë më pas drejt padive në Gjykatën Administrative.


Formula e vitit 2022 nuk pasqyron kostot aktuale

Importuesit argumentojnë se metodologjia e miratuar në vitin 2022 nuk pasqyron më kostot reale të operimit në treg. Sipas tyre, formula nuk merr parasysh inflacionin, rritjen e pagave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, qiratë dhe shpenzimet e tjera operative që janë shtuar gjatë periudhës 2022–2026.


Kompanitë kundërshtojnë gjithashtu marzhet e përcaktuara nga Bordi. Formula llogariste një marzh prej 3 lekësh për litër për importuesit dhe 12 lekësh për litër për tregtimin me pakicë, ndërsa operatorët pretendojnë se kostot reale janë përkatësisht rreth 4 dhe 15 lekë për litër.


Pretendohet një diferencë prej 8.7 lekësh për litër

Në total, kompanitë vlerësojnë se metodologjia e përdorur nga Bordi i Transparencës nuk reflektonte rreth 8.7 lekë për litër në çmimin final të karburantit. Kjo diferencë përfshin kostot e krijuara nga mënyra e llogaritjes së TVSH-së dhe marzhet më të ulëta të operimit.


Sipas operatorëve, këto diferenca kanë shkaktuar humbje të mëdha financiare dhe kanë vënë në vështirësi veçanërisht kompanitë më të vogla të tregut. Për këtë arsye, tetë operatorët kanë kërkuar në gjykatë rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim nga qeveria.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat